Sonte zhvillohen ndeshjet e fundit në katër grupet e para të Ligës së Kampionëve, nga ku do të mësohet edhe renditja përfundimtare.
Grupi A: Holandezët e Tuentes do të presin Totenhemin, në një ndeshje që vlen vetëm për londinezët. Tuente ka siguruar vendin e tretë, ndërsa Totenhemi lufton me Interin për kreun e grupit, pasi të dyja këto ekipe ndodhen në kuotën e 10 pikëve.
Interi kampion i Evropës në fuqi luan në transfertën e Verder Bremenit. Gjermanët luajnë thjesht për statistikë, pasi në pesë ndeshjet e para kanë arritur të marrin vetëm 2 pikë.
Grupi B: Në këtë grup gjithçka është e hapur për këtë mbrëmje. Benfika e vendit të tretë me 6 pikë pret udhëheqësit e Shalke 04 (10 pikë). Lioni i vendit të dytë (9 pikë) pret Hapoelin e Telavivit (4 pikë). Francezët luajnë për kreun, pasi kualifikimin e siguruan që një ndeshje më parë. Ndërkaq, izraelitet e vendit të fundit shpresojnë në ndonjë mrekulli për të zënë vendin e tretë, i cili të çon në Ligën e Evropës.
Grupi C: Këtu gjithçka është zbardhur më parë. Bursaspor do të presë thjesht për statistikë Renxhersin e Glasgout. Turqit largohen duarbosh nga ky kompeticioni, ndërsa skocezët duhet të kënaqen me vendin e tretë, duke kaluar kështu në Ligën e Evropës.
Ndeshja kryesore e këtij grupi, Mancester-Valencia, matematikisht mban të hapur garën për kreun e grupit. Anglezët udhëheqin me 13 pikë, ndërsa Valencia e ndjek më 10 pikë. Ndeshja e parë ka përfunduar me rrjeta të paprekura, dhe vetëm një fitore e Valencias e ngjit atë në krye të grupit.
Grupi D: Barcelona “jashtëtokësore” do të presë rusët e Rubin Kazanit, për t’u hakmarrë ndaj humbjes së sezonit të kaluar. Katalanasit kanë siguruar kreun, ndërsa rusët kanë të garantuar vetëm vendin e tretë.
FC Kopenhageni do të presë Panathinaikosin në fushën e vet. Danezët ndodhen fare pranë kualifikimit, duke qenë se ndodhen në vendin e dytë me një pikë më shumë se Rubin Kazani.
Ndeshjet luhen sonte të gjitha në orën 20:45, ndërsa nesër luhen ndeshjet e fundit në katër grupet e tjera.